Lumturitë

Jezusi, Mësuesi ynë Mjeshtër, dikur dha një predikim në Malin e Ullinjve, i njohur gjerësisht me titullin Predikimi në Mal. Është vendi ku Ai zbuloi një ligj më të lartë të dashurisë dhe dha mësim Lumturitë: tipare shpirtërore të cilat mund t’i dëshirojmë edhe sot.

Mateu 5:3–12

3 Lum skamësit në frymë, sepse e tyre është mbretëria e qiejve.

4 Lum ata që vajtojnë, sepse ata do të ngushëllohen.

5 Lum ata që janë zemërbutë, sepse ata do ta trashëgojnë tokën.

6 Lum ata që janë të uritur dhe të etur për drejtësi, sepse ata do të ngopen.

7 Lum ata që janë të mëshirshëm, sepse ata do të gjejnë mëshirë.

8 Lum ata që janë të pastër në zemër, sepse ata do ta shohin Perëndinë.

9 Lum ata që përpiqen për paqen, sepse ata do të quhen bij të Perëndisë.

10 Lum ata që janë përndjekur për hir të drejtësisë, sepse e tyre është mbretëria e qiejve.

11 Lum ju kur do t’ju shajnë dhe do t’ju përndjekin dhe, duke gënjyer, do të thonë të gjitha të zezat kundër jush, për shkakun tim.

12 Gëzohuni dhe ngazëllohuni, sepse shpërblimi juaj është i madh në qiej, sepse kështu i kanë përndjekur profetët që qenë para jush.

Lumturitë nga Predikimi në Mal

Lumturitë na ndihmojnë të kuptojmë më mirë bekimet që Perëndia i ka ruajtur për ne dhe se çfarë do të thotë të jemi një pasues i Jezusit.

Të Kuptuarit e Lumturive

“Lum skamësit në frymë, sepse e tyre është mbretëria e qiejve”

Të jesh skamës në frymë do të thotë të jesh i përulur dhe i mësueshëm. Jezusi dëshiron që ne gjithmonë ta dallojmë me përulësi nevojën tonë për Të.

Mateu 5:3

“Lum ata që janë zemërbutë, sepse ata do ta trashëgojnë tokën”

Të jesh zemërbutë do të thotë të jesh i butë, i mirësjellshëm, i duruar dhe tolerant – jo krenar, mburrës ose mendjemadh. Shpëtimtari e tregoi zemërbutësinë e Tij duke qenë i gatshëm t’i nënshtrohej vullnetit të Perëndisë. Edhe në një çast agonie të skajshme, Ai i tha Perëndisë: “Megjithatë mos u bëftë vullneti im, por yti” (Lluka 22:42).

Mateu 5:5

“Lum ata që janë të mëshirshëm, sepse ata do të gjejnë mëshirë”

Jezu Krishti ishte një shembull i përsosur i shfaqjes së faljes dhe mëshirës. Edhe kur po vuante në kryq, Ai tha: “Atë, fali ata sepse nuk dinë ç’bëjnë” (Lluka 23:34). Përderisa ne të gjithë kemi nevojë për mëshirë, ne të gjithë duhet të tregojmë mëshirë.

Mateu 5:7

“Lum ata që përpiqen për paqen, sepse ata do të quhen bij të Perëndisë”

Një emër tjetër që ka Jezusi është “Princi i Paqes”. Jezusi na nxit të ndjekim shembullin e Tij duke e dashur çdo njeri, që të mund të jetojmë së bashku në paqe.

Mateu 5:9

“Lum ata që vajtojnë, sepse ata do të ngushëllohen”

Ne do të hasim sfida dhe probleme që do të na vënë në provë. Kur vajtojmë për humbjet dhe sprovat tona, neve na premtohet që do të bekohemi teksa durojmë. Perëndia do të dërgojë Shpirtin e Tij të Shenjtë që të na ngushëllojë në raste nevoje.

Mateu 5:4

“Lum ata që janë të uritur dhe të etur për drejtësi, sepse ata do të ngopen”

Ne mund të vijmë më pranë Perëndisë kur përpiqemi t’i ndjekim mësimet e Tij dhe mësojmë më shumë rreth Tij. Sa më shumë dituri të kërkojmë, aq më shumë do të na bekojë Ai me të.

Mateu 5:6

“Lum ata që janë të pastër në zemër, sepse ata do ta shohin Perëndinë”

Perëndia do të na shfaqet nëse jemi të pastër në zemër. Nëse përpiqemi me zell që të bëhemi si Perëndia, synimet dhe veprimet tona do të jenë nderuese dhe zemrat tona do të jenë të pastra.

Mateu 5:8

“Lum ata që janë përndjekur për hir të drejtësisë, sepse e tyre është mbretëria e qiejve”

Ne mund të hasim kritikë për mënyrën se si jetojmë, gjërat në të cilat besojmë dhe gjërat që bëjmë. Me krenari mbrojini parimet e Perëndisë dhe Ai do t’ju bekojë.

Mateu 5:10