Ju Mund të Jeni një Familje Përgjithmonë
Familjet janë një pjesë e madhe e planit të Perëndisë për lumturinë tonë. Ne lindemi në një familje. Ne aspirojmë të ndërtojmë marrëdhënie të forta familjare. Shtëpia mund të jetë një vend ku ndiejmë përkrahje, siguri dhe dashuri. Perëndia nuk do që lidhjet familjare të mbarojnë kur ne vdesim. Në saje të tempujve, ne mund të bashkohemi me familjet tona në jetën që vjen.
Derisa Vdekja t’Ju Ndajë?
Kur shenjtorët e ditëve të mëvonshme martohen, ata e kuptojnë se martesa ka për qëllim që të zgjatë përgjithmonë. Ceremonitë martesore në tempuj përmbajnë fjalët “për kohën dhe gjithë përjetësinë”, jo “derisa vdekja t’ju ndajë”. Por nuk janë fjalët ato që e bëjnë të mundur martesën e përjetshme – është fuqia e Perëndisë.
Fuqia e Perëndisë për të Bashkuar së Bashku
Në Bibël, Jezusi u dha Dymbëdhjetë Apostujve fuqinë e vulosjes, ose “çelësat” e vulosjes. Ajo fuqi nënkuptonte se martesa dhe shumë bekime të tjera të mrekullueshme mund të zgjatin përgjithmonë. “Çelësat” e lidhin martesën së bashku. Asgjë nuk mund ta thyejë atë lidhje përveçse mungesa e besnikërisë ndaj bashkëshores/tit ose Perëndisë.
Kur Perëndia e rivendosi Kishën e Tij nëpërmjet Jozef Smithit, Ai gjithashtu i dha atij fuqinë vulosëse. Kur çiftet martohen në një tempull të shenjtorëve të ditëve të mëvonshme, personit që kryen ceremoninë, i është dhënë leje për ta përdorur atë fuqi.
Fuqia Vulosëse Shtrihet te Fëmijët
Fëmijët që linden nga çifte të martuara në tempuj, automatikisht “vulosen” te prindërit e tyre. Familjet që bashkohen me Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme më vonë gjatë jetës, mund të shkojnë gjithashtu në tempull për t’u vulosur së bashku.