A Besojnë Anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme tek Trinia?
Si shumë të krishterë, ne besojmë në Perëndinë, Atin, në Birin e Tij, Jezu Krishtin, dhe në Shpirtin e Shenjtë. Mirëpo, ne nuk besojmë në konceptin tradicional të Trinisë. Ne besojmë se Ati, Biri dhe Fryma e Shenjtë janë tri qenie më vete që janë një në qëllim.
Tri qenie të dallueshme
Neni i parë i Besimit i Kishës shpall: “Ne besojmë në Perëndinë, Atin e Përjetshëm, dhe në Birin e Tij, Jezu Krishtin, dhe në Frymën e Shenjtë”. Ne besojmë se Ata janë tre persona të dallueshëm, jo një qenie e vetme. Ne i quajmë Ata Kreu‑Perëndi.
Kjo bindje mbështetet tek informacioni nga Bibla. Rrëfimi i pagëzimit të Jezusit në Dhiatën e Re është një shembull i shkëlqyer që Kreu‑Perëndi vepron bashkërisht për të përmbushur vullnetin e Atit Qiellor. Te Mateu 3:16–17 lexojmë:
“Dhe Jezusi, sapo u pagëzua, doli nga uji; dhe ja, qiejt iu hapën, dhe ai pa Frymën e Perëndisë duke zbritur si një pëllumb e duke ardhur mbi të; dhe ja një zë nga qielli që tha: ‘Ky është Biri im i dashur, në të cilin jam kënaqur’”.
Në atë moment, që tre anëtarët e Kreut‑Perëndi ishin të pranishëm: Jezusi, i cili po pagëzohej; Ati Qiellor, zëri i të cilit u dëgjua nga qielli; dhe Shpirti i Perëndisë, siç u vu në dukje nga shenja e pëllumbit.
Secili anëtar i Kreut‑Perëndi ka një rol të posaçëm, të bashkuar në qëllimin për t’i sjellë të gjithë fëmijët e Perëndisë sërish në praninë e Tij.
Role unike
Perëndia
Perëndia është Ati ynë i dashur Qiellor. Ai është Ati i shpirtit tonë. Ne komunikojmë me Të nëpërmjet lutjes, siç bëri Vetë Jezu Krishti. Ati Qiellor i dëgjon përherë lutjet tona. Ai qe autor i planit të shpëtimit, një plan për t’i ndihmuar të gjithë fëmijët e Tij të kthehen për të jetuar me Të. Si shenjtorë të ditëve të mëvonshme, ne e duam dhe e adhurojmë Atë.
Jezu Krishti
Jezu Krishti është Biri i Atit Qiellor. Ai është Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë. Ai ishte Biri i Vetëmlindur i Perëndisë, i lindur nga Maria. Ai jetoi në tokë dhe dha mësim ungjillin e Atit të Tij. Ai u refuzua nga bota dhe u kryqëzua në kryq. Për shkak të jetës së Tij të përkryer e të pamëkatë dhe flijimit të Tij përfundimtar, ne të gjithë kemi shpresën të kthehemi për të jetuar me Të dhe Atin tonë Qiellor përsëri. Te Gjoni 3:16 lexojmë: “Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme”.
Fryma e Shenjtë
Fryma e Shenjë është lajmëtari dhe zbuluesi i Atit dhe Birit. Ai, një personazh shpirti, na ndihmon të mësojmë dhe dallojmë të vërtetën e të gjitha gjërave, përfshirë ungjillin. Është përmes Frymës së Shenjtë që Perëndia dhe Jezu Krishti na e komunikojnë dashurinë, ngushëllimin dhe paqen e Tyre neve.
Një qëllim
Ndonëse Kreu‑Perëndi përbëhet nga tri qenie hyjnore të dallueshme me role e karakteristika të caktuara, të ndryshme, Ata janë përsosmërisht të bashkuar në qëllim. Ata punojnë në harmoni për të na ndihmuar të arrijmë ta njohim Perëndinë, të jetojmë me drejtësi, të marrim falje dhe përfundimisht të kthehemi të jetojmë përsëri me Ta. Së bashku, Ata punojnë që “të bëj[në] të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme e njeriut” (Moisiu 1:39).