Çfarë Është E Dhjeta?

Fjala e dhjetë do të thotë “pjesa një e dhjetë”. E dhjeta është një dhurim apo një ofertë e një të dhjetës së të ardhurave tuaja për shërbesën e Perëndisë.

Një grua plotëson mandatin e saj të së dhjetës në tavolinën e kuzhinës

Që në kohët e lashta, Perëndia e ka urdhëruar popullin e Tij që t’ia kthejnë një të dhjetën e gjithçkaje që fitojnë sërish Atij. Ky urdhërim është ende në fuqi sot. Anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme ia kthejnë një të dhjetën e të ardhurave të tyre sërish Perëndisë nëpërmjet Kishës së Tij. Këto fonde më pas përdoren për të ngritur Kishën dhe për ta çuar përpara punën e Perëndisë anembanë botës.

Perëndia u premton bekime të mëdha atyre që e paguajnë të dhjetën. Pagimi i së dhjetës tregon bindje e dashuri dhe ndihmon në forcimin e besimit tonë te Perëndia.

E dhjeta është një urdhërim i Perëndisë

Në Bibël na mësohet se Perëndia i ka urdhëruar gjithmonë fëmijët e Tij që t’i paguajnë të dhjetat. Abrahami ofroi të dhjetën (shihni te Zanafilla 14:20). E dhjeta ishte ligj për fëmijët e Izraelit (shihni te Numrat 18:21–28). Ajo u dha mësim dhe u zbatua nga njerëzit në kontinentin e lashtë amerikan, siç shënohet te Libri i Mormonit (shihni tek 3 Nefi 24:8–12).

Në kohën tonë, profetët e gjallë japin mësim rreth rëndësisë që ka në vazhdim, pagimi i të dhjetës. Kur jemi të bindur ndaj urdhërimeve të Perëndisë, Ai na premton bekime të panumërta në këmbim.

Pagimi i së dhjetës tregon dashuri për Perëndinë dhe për të tjerët

Kur e paguajmë të dhjetën, ne bëhemi më të afërt me Perëndinë dhe ndihmojmë për ta çuar përpara punën e Tij. Jezusi tha: “Nëse më doni, zbatoni urdhërimet e mia” (Gjoni 14:15). Perëndia e tregon dashurinë e Tij për ne duke na dhënë gjithçka që kemi. Në këmbim, Ai kërkon që ta përkrahim punën e Tij dhe të tregojmë dashurinë tonë për të tjerët. E dhjeta ndihmon për shpalljen e ungjillit dhe ndërtimin e mbretërisë së Perëndisë në tokë. Kontributet tuaja kanë potencialin të bekojnë jetën e kaq shumë njerëzve të tjerë përpos vetes tuaj.

Pagimi i së dhjetës e forcon besimin te Perëndia

Ftesa e Perëndisë për të dhjetën është e qartë: “Sillni gjithë të dhjetat … dhe pastaj më vini në provë për këtë gjë … n[ës]e unë nuk do t’i hap pragjet e qiellit dhe nuk do të derdh mbi ju aq shumë bekim, sa nuk do të keni vend të mjaftueshëm ku ta shtini” (Malakia 3:10). Ky është një premtim i fuqishëm!

Ju mund ta vini në provë parimin e së dhjetës në jetën tuaj vetjake. Ndërsa e paguani të dhjetën, do të shihni se si Perëndia i mban premtimet e Tij. Ju do të arrini ta njihni më mirë Atë dhe besimi juaj në Të do të rritet.

Mësoni më Shumë për Bindjet Tona Fetare