Perëndia na Flet nëpërmjet Profetëve
Perëndia na flet individualisht, por Ai u flet fëmijëve të Tij edhe kolektivisht nëpërmjet profetëve të Tij. Sot na japin mësim profetët e gjallë.
“Ajo që tha një profet rreth arsimimit, solli një ndryshim të madh tek unë.”
“Nëse i mirëbesoj Perëndisë, atëherë i mirëbesoj edhe personit që Ai ka thirrur si profetin e Tij, që të ndihmojë për të më udhëhequr dhe drejtuar për t’u bërë varianti më i mirë i vetes sime.”
Përse kemi profetë?
Perëndia do që ne t’i kapërcejmë sfidat tona, të bëhemi njerëz më të mirë dhe të kthehemi për të jetuar me Të pas kësaj jete. Por Ai nuk pret që ta bëjmë të vetëm këtë. Ai na udhërrëfen nëpërmjet Frymës së Shenjtë, shkrimeve të shenjta dhe profetëve. Një profet është një person që është thirrur nga Perëndia për t’i dhënë udhërrëfim të gjithë botës. Nga Abrahami dhe Moisiu deri te profetët e gjallë sot, Perëndia ndjek një model të udhërrëfimit të fëmijëve të Tij nëpërmjet profetëve.
“Sepse Zoti [Perëndi], nuk bën asgjë, pa ua treguar sekretin e tij shërbëtorëve të tij, profetëve.” – Amos 3:7
Si ndikojnë profetët në shoqëri?
Ndërkohë që urdhërimet e Perëndisë nuk ndryshojnë kurrë, bota në të cilën jetojmë, është gjithmonë në ndryshim. Periudha të ndryshme kohore kanë sjellë secila rrethana të reja dhe sfida të pashoqe. Profetët marrin drejtim nga Perëndia për t’i ndihmuar njerëzit të gjejnë udhën përmes sfidave dhe situatave.
Në Bibël, profetët i nxitën njerëzit të pendoheshin dhe parashikuan për lindjen, vdekjen dhe Ringjalljen e Jezu Krishtit. Sot, profetët vazhdojnë të dëshmojnë për Jezusin. Ata gjithashtu i paralajmërojnë dhe i këshillojnë të gjithë njerëzit rreth temave të rëndësishme.
Mësimet profetike të kohëve të fundit trajtojnë çështje shoqërore të tilla si martesa dhe marrëdhëniet familjare, raste praktike si arsimimi dhe përgjegjësia financiare dhe tema shpirtërore që na ndihmojnë t’i kapërcejmë sprovat vetjake dhe të gjejmë siguri te vetja dhe besim të madh.
Rasëll M. Nelson, profeti dhe Presidenti i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme (2018–aktual).
Profetët sot
Prova e vërtetë e fjalëve të profetit është kur i vëmë ato në zbatim në jetën tonë vetjake. Ata njerëz që i dëgjojnë këto mesazhe, shpesh komentojnë: “Ishte sikur ai po më fliste mua”. Perëndia i di shqetësimet tona më të thella dhe dëshiron të ndihmojë. Një nga mënyrat se si Ai i ndihmon fëmijët e Tij është duke u dhënë frymëzim profetëve.
Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është e pashoqe në botë sot për shkak se profetët japin drejtim hyjnor pa ndërprerje nga Perëndia. Këto mesazhe janë në dispozicion për të gjithë njerëzit. Profeti i tanishëm, Presidenti Rasëll M. Nelson, bashkë me Kuorumin e Dymbëdhjetë Apostujve, i flet botës dy herë në vit gjatë një serie mbledhjesh, të quajtura konferenca e përgjithshme. Fjalët e profetit dhe Apostujve dëshmojnë se Jezusi është Shpëtimtari dhe ata na ndihmojnë ta ndjekim shembullin e Tij.
Teksa mësoni më shumë rreth profetëve, ju do të arrini të kuptoni se Perëndia ende i flet botës sot dhe se ju mund ta ndiqni më nga afër Atë e të gjeni lumturi më të madhe duke e dëgjuar këshillën e profetit. Ne ju ftojmë të mësoni më shumë rreth Kishës së Jezusit duke u takuar me misionarët.