Kisha e Jezusit u Rivendos
Pas vdekjes së Apostujve të Jezusit, Kisha e Tij origjinale u braktis dhe autoriteti i priftërisë së Perëndisë humbi. Në vitin 1820, Perëndia dhe Jezusi thirrën një profet të ri për ta rivendosur Kishën e vërtetë. Emri i tij ishte Jozef Smith.
Jezusi zgjodhi Apostuj e profetë që ta udhëhiqnin Kishën e Tij
Kur Jezusi ishte në tokë, Ai thirri dymbëdhjetë Apostuj dhe u dha atyre autoritet për të predikuar, pagëzuar dhe për ta udhëhequr popullin e Tij. Pasi Jezusi u largua nga toka, Apostujt vazhduan ta merrnin udhërrëfimin e Tij nëpërmjet Shpirtit të Shenjtë. Ata punuan për të themeluar kishat në qytetet e lashta të Romës, Greqisë dhe më tej. Por ata patën vazhdimisht vështirësi për të mbajtur rregull mes të sapokthyerve në besimin e krishterë.
“Ju, pra, nuk jeni më të huaj, as bujtës, por bashkëqytetarë të shenjtorëve dhe pjes[ë]tarë të familjes së Perëndisë, të ndërtuar mbi themelin e apostujve dhe të profetëve, duke q[e]në Jezu Krishti vetë guri i qoshes.” – Efesianëve 2:19–20
Kisha e Jezusit nuk u pranua, u tjetërsua dhe si përfundim humbi
Ndërsa Kisha rritej, Apostujt u përballën me mosmarrëveshjeve midis besimtarëve dhe kundërshtim të ashpër nga jobesimtarët. Shumë Apostuj u martirizuan dhe njerëzit nuk binin në një mendje rreth kuptimit të mësimeve të Jezusit. Njerëzit filluan të krijonin kisha të ndryshme pa autoritetin e Perëndisë për ta bërë atë gjë. Këto kisha u shkëputën nga Kisha origjinale e Jezu Krishtit.
Për pasojë, krishterimi përjetoi një braktisje të përhapur gjerësisht ose një largim nga bindjet fetare themelore. Priftëria e Perëndisë, ose autoriteti për të vepruar në emrin e Tij, humbi, parimet e pastra u korruptuan dhe të vërtetat e ungjillit u shpërbënë.
Reformistët u përpoqën ta rikthenin Kishën
Në shekullin e 16‑të, reformistë si Martin Luteri dhe Xhon Kalvini e pranuan gjendjen e rënë të krishterimit. Ata dëshironin që ta rikthenin kishën e krishterë në gjendjen e saj të hershme, që të përputhej më nga afër me mësimet biblike.
Sidoqoftë, nuk qe e mjaftueshme për Kishën origjinale të Jezu Krishtit që thjesht të “reformohej”. Parime dhe të vërteta të caktuara, bashkë me autoritetin e priftërisë për të vepruar në emër të Perëndisë, kishin humbur kohë më parë. Kisha e Jezu Krishtit në tërësinë e saj do të duhej të risillej; të rikthehej si më parë; ose me fjalë të tjera, të rivendosej.
Kisha e Jezusit u rivendos
Në vitin 1820, Perëndia dhe Jezusi thirrën një profet të ri për ta rivendosur Kishën e vërtetë. Emri i tij ishte Jozef Smith. Jozefi u rrit si një djalë i përulur ferme në Palmira të Nju‑Jorkut. Shumë kisha dhe predikues po konkurronin në zonë për të pasur të kthyer në besim. Jozefi ishte i pështjelluar rreth asaj se me cilën kishë duhej të bashkohej sepse që të gjitha jepnin mësim gjëra të ndryshme. Ai hasi një varg në Bibël që thoshte të pyesje Perëndinë nëse kishe pyetje dhe se Ai do të përgjigjej.
“Por në qoftë se ndonjërit nga ju i mungon urtia, le të kërkojë nga Perëndia, që u jep të gjithëve pa kursim, pa qortuar, dhe atij do t’i jepet.” – Jakobi [Bibël] 1:5
Jozefi vendosi të lutej. Ai shkoi në një vend të veçuar në pyll dhe u gjunjëzua, duke e pyetur përulësisht Perëndinë në lutje se me cilën kishë duhej të bashkohej. Perëndia dhe Jezusi i erdhën atij në një vegim. Më vonë, Jozefi e përshkroi këtë përvojë të shenjtë:
“Unë pashë një shtyllë drite tamam mbi kokën time, më e shkëlqyeshme se dielli, e cila zbriti gradualisht derisa ra mbi mua. … Kur drita pushoi mbi mua, unë pashë dy Personazhe, shkëlqimi dhe lavdia e të cilëve i kapërcejnë të gjitha përshkrimet, duke qëndruar mbi mua në ajër. Një prej tyre më foli, duke më thirrur në emër dhe tha, duke treguar tjetrin: Ky është Biri Im i Dashur. Dëgjoje Atë!’” (Joseph Smith – Historia 1:16–17)
Perëndia Ati dhe Biri i Tij, Jezu Krishti, i thanë Jozefit që të mos bashkohej me asnjërën nga kishat ekzistuese. Ata i thanë se nëpërmjet tij, Jezusi përfundimisht do të rivendoste Kishën e Tij origjinale. Jozef Smithi do të bëhej një profet, pikërisht si profetët e lashtë të Biblës. Me kalimin e kohës, atij iu dha autoriteti i rëndësishëm i priftërisë që kishte humbur, dhe bashkë me të fuqia për të pagëzuar, për të shëruar të sëmurët dhe për të thirrur apostuj dhe udhëheqës të tjerë. Kisha e rivendosur u organizua zyrtarisht më 6 prill 1830.
Roli i Libri i Mormonit në rivendosjen e Kishës së Jezusit
Ndërsa Jezusi e themeloi sërish Kishën e Tij, Ai nxori në dritë një anal të lashtë që u përkthye nga Jozef Smithi. Ai njihet si Libri i Mormonit: Një Dëshmi Tjetër e Jezu Krishtit. Ai edhe e përkrah, edhe e qartëson Biblën, duke siguruar që mësimet e Jezu Krishtit të mbeten të paprekura dhe të sakta. Ju mund të arrini të dini se Libri i Mormonit, ashtu si Bibla, është fjala e Perëndisë duke e lexuar atë e duke u lutur për të ditur nëse është i vërtetë. Nëse Perëndia përgjigjet se është i vërtetë, ju do ta dini se Jozef Smithi ishte një profet dhe se ju e keni gjetur Kishën e vërtetë të Jezusit.
Jezu Krishti e udhëheq Kishën e Tij sot
Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është Kisha e rivendosur e Jezu Krishtit. Jezusi është në krye të Kishës së Tij dhe Ai na udhërrëfen aktivisht drejt Perëndisë nëpërmjet një profeti të kohës së sotme.