Si Mund të Marr Falje nga Perëndia?

Pendimi sjell falje dhe shërim nëpërmjet fuqisë së Jezu Krishtit.

Pendimi është shumë më tepër sesa dallimi i keqbërjeve ose shprehja “na vjen keq”. Ai është një ndryshim i mendjes dhe i zemrës që përfshin largimin nga mëkati dhe të drejtuarit te Perëndia për ndihmë dhe falje. Kur pendohemi ne përjetojmë lumturi të vazhdueshme.

Pendimi është një mundësi për t’u bërë më i mirë. Perëndia do të jetë i duruar me ju ndërsa punoni për t’i mposhtur zakonet e këqija, varësitë dhe të bëni ndryshime të vërteta në jetën tuaj. Ky ndryshim është i mundur nëpërmjet Jezu Krishtit dhe flijimit të Tij. S’ka rëndësi se sa zgjat; ai ia vlen.

Përse kam nevojë të pendohem?

Shumë besojnë se në thelb nuk ka gjëra të drejta ose të gabuara. Sidoqoftë, Perëndia ka pritshmëri për ne dhe na ka dhënë urdhërime që t’i zbatojmë. Kur nuk iu bindemi urdhërimeve të Perëndisë, ne mëkatojmë. Të gjithë ne jemi të papërsosur dhe të gjithë ne kemi nevojë të pendohemi: “Sepse të gjithë mëkatuan dhe u privuan nga lavdia e Perëndisë” (Romakëve 3:23).  Mëkatet tona na pengojnë duke mos qenë në gjendje të kthehemi në shtëpi që të jetojmë me Perëndinë.

Jezu Krishti na siguroi një mënyrë që të marrim falje. Ai vuajti për mëkatet tona kështu që nëse pendohemi, ne mund të bëhemi sërish të pastër dhe të çlirohemi nga keqardhja.

Bekimet e Pendimit

Mëkati është një barrë e rëndë që na mbush me keqardhje dhe trishtim. Pendimi i heq ato ndjenja dhe i zëvendëson ato me gëzim. Alma, një profet në Librin e Mormonit, e përshkroi lumturinë e tij pasi u pendua: “Nuk mund të ketë asgjë kaq të mrekullueshme dhe kaq të ëmbël, sa ishte gëzimi im” (Alma 36:21). Kur pendohemi plotësisht, ne marrim falje dhe shërohemi. Ne do të ndiejmë paqe, gëzim, liri dhe vetëbesim.

Seancë studimi: Mënyra si të falni dhe të merrni falje
Regjistrohu

Si të pendohem?

Jezusi Krishti ka fuqinë të falë mëkatet tuaja. Procesi i pendimit nuk është i ndërlikuar, por ndonjëherë ai mund të jetë i dhembshëm dhe i vështirë. Zoti ka premtuar: “Ai që është penduar për mëkatet e tij, po ai falet dhe unë, Zoti, nuk i kujtoj më ato” (DeB 58:42).

Pendimi është një përvojë vetjake me Jezusin. Për disa mëkate mund të duhet më shumë kohë për t’u penduar sesa për të tjera.  Ndërkohë, procesi i pendimit nuk duhet parë si një listë detyrash, këto parime mund t’ju ndihmojnë nëse nuk jeni i sigurt nga t’ia nisni ose nëse keni vështirësi për të parë përparimin tuaj.

Mësoni Parimet e Pendimit

Kini besim

Besimi në Jezu Krisht është thelbësor për pendimin. Kini besim se Jezu Krishti mund t’ju lirojë nga barra e mëkatit dhe se ju mund të jeni sërish të pastër.

Pranojeni mëkatin

Pranoni se keni mëkatuar – që ju në njëfarë mënyre jeni larguar nga Perëndia. Ndryshimi nuk mund të ndodhë nëse refuzoni të pranoni se keni bërë diçka të gabuar.

Ndieni trishtim

Ju duhet të ndieni keqardhje të vërtetë për gjërat në jetën tuaj që janë në kundërshtim me vullnetin e Perëndisë. Kini një dëshirë të sinqertë për të bërë ndryshime. Kur mëkatet tuaja janë falur, trishtimi juaj do të zëvendësohet me gëzim.

Braktiseni mëkatin

Trishtimi i sinqertë duhet t’ju shtyjë të ndaloni së bëri atë që është e gabuar. Jezusi i tha gruas që u kap në shkelje kurore: “Shko dhe mos mëkato më” (Gjoni 8:11).

Rrëfehuni

Jini të hapur dhe të ndershëm me Perëndinë nëpërmjet lutjes dhe pranoni që keni bërë gabime. Kur t’i keni rrëfyer mëkatet tuaja, kërkoni ndihmë. “Në këtë mënyrë ju mund të dini nëse një njeri pendohet për mëkatet e tij – vini re, ai do t’i rrëfejë ato e do t’i braktisë ato” (DeB 58:43).

Shpaguani

Nëse është e mundur, ju duhet ta ndreqni dëmin që kanë shkaktuar veprimet tuaja. Nëse keni vepruar keq me dikë, kërkojini falje atij personi dhe bëni gjithçka mundeni për ta rregulluar situatën.

Mbusheni jetën tuaj me mirësi

Mbusheni jetën tuaj me veprimtari lartësuese dhe fuqizuese. Këto përfshijnë shpenzimin e kohës me miq të mirë, lutjen, leximin e shkrimeve të shenjta dhe vajtjen në kishë. Këto sjellin fuqi shpirtërore dhe rritin forcën për t’i mposhtur dobësitë.

Vazhdoni të vini te Krishti

Presidenti Dallin H. Ouks trajton secilin nga parimet e pendimit dhe tha: “E gjitha kjo është pjesë e ftesës së vazhdueshme të shkrimit të shenjtë që të vini te Krishti”. Ftesa mirëdashëse e Shpëtimtarit për t’u penduar është po aq e rëndësishme dhe çliruese në kohët e sotme sa ka qenë gjithmonë.

A kam mëkatuar aq shumë sa nuk mund të pendohem?

Jezusi pagoi çmimin për çdo mëkat. Mund të keni ndier sikur mëkatet tuaja janë tepër rënda ose që ju e keni bërë të njëjtin gabim shumë herë. Por pavarësisht se sa shumë kemi mëkatuar, ne mund të pendohemi gjithmonë dhe të marrim falje. Disa mëkate mund të jenë më të lehta për t’u ndrequr se disa të tjera, por Jezu Krishti ka siguruar falje tërësore nga të gjitha mëkatet. Ai pret me padurim që të falë.

Kërkoni një Libër të Mormonit
Kërkojeni Tani