Si Mund ta Fal Veten?
Nganjëherë, ne vazhdojmë të jemi të ashpër me veten shumë kohë pasi Perëndia na ka falur.
Jezusi ka vuajtur tashmë për mëkatet tona
Jezusi vuajti për mëkatet tuaja në Kopshtin e Gjetsemanit. Kur bëjmë diçka gabim, ne mund të pendohemi – t’i kërkojmë falje Perëndisë – dhe të bëhemi sërish të pastër për shkak të flijimit të Jezusit. Falja e vetes është një vepër besimi ndaj Tij.
Kjo nuk do të thotë që ne mund të bëjmë çfarë të duam për shkak se Jezusi e ka marrë përsipër këtë. Por kjo do të thotë se duhet të kemi besim dhe të vazhdojmë përpara në jetën tonë kur të jemi penduar. Ne nuk duhet të jetojmë me gabimet e së kaluarës.
Faji mund ta dobësojë marrëdhënien tonë me Perëndinë
Nëse vazhdojmë ta lejojmë fajin të ndikojë te ne pasi jemi lutur për falje dhe kemi bërë atë që mundemi për t’i ndrequr gabimet tona, ne në fakt mund ta largojmë veten nga Perëndia.
Ndonjëherë na krijohet ideja se Perëndia nuk do të na flasë ose që jemi të padenjë për t’u lutur. Kjo nuk është e vërtetë. Perëndia i do të gjithë fëmijët e Tij dhe është përsosurisht i gatshëm të falë kur pendohemi sinqerisht. Kur Perëndia fal, është sikur mëkati nuk ka ndodhur kurrë.
Është e rëndësishme të kuptojmë që djalli “kërkon që të gjithë njerëzit të jenë të mjeruar sikurse është ai vetë” (shih 2 Nefi 2:27). Mjerimi që vjen nga faji, e pengon aftësinë tonë për ta ndier Shpirtin. Perëndia do të donte që ne t’u shërbejmë të tjerëve dhe të kalojmë një kohë të mirë, në vend që të ndihemi të zymtuar dhe të papastër.
Mësoni t’i hidhni pas krahëve dhe të vazhdoni përpara
Një profet nga Libri i Mormonit, i quajtur Enos, shkroi rreth përvojës së tij tek i kërkoi falje Perëndisë. Ai u lut gjithë ditën e natën dhe më në fund ai dëgjoi një zë të thoshte: “Enos, mëkatet e tua të janë falur dhe ti do të jesh i bekuar” (shih Enosi 1:5). Bukuria e kësaj historie është mënyra se si reagoi Enosi. Ai shkroi: “Dhe unë, Enosi, e dija se Perëndia nuk mund të gënjente, prandaj fajësia ime u fshi” (shih Enosi 1:6).
Enosi nuk vazhdoi t’i kujtonte më gabimet e tij. Përkundrazi, ai menjëherë filloi të lutej për mirëqenien e të tjerëve. Ai kaloi nga të menduarit për veten, në të menduarit për të tjerët. Nguliteni shembullin e Enosit në zemër dhe mësoni të përparoni menjëherë pasi të jeni penduar.
Të falësh veten është një gjë e mirë për shëndetin
Të falësh veten është një koncept i mbështetur nga profesionistët e mjekësisë dhe të shëndetit mendor. Ndonëse shpesh mendohet si doktrinë fetare, kërkimet shkencore i përkrahin dobitë e faljes së vetes.
Andrea Brant, me gradë doktore shkencash në Terapi për Martesën dhe Familjen, tha: “Pranojeni se jo çdokush është i vetëdijshëm ose i ndjeshëm mjaftueshëm për ta pranuar që ka bërë diçka gabim. Vlerësojeni faktin se jeni ai lloj njeriu që mund t’i dallojë fajet dhe gabimet e veta dhe të thotë: ‘Këtë e bëra unë; unë jam përgjegjësi’. Po, ju keni bërë diçka të gabuar, por në thelb, ju jeni një njeri i mirë” (Psychology Today, tetor 2017).
Në thelb, ajo po thotë se keqardhja është një tregues i mirë i karakterit tonë. Sidoqoftë, ajo sakaq thekson: “Asnjë dobi apo e mirë nuk mund të vijë nga mbajtja e vetes peng të modelit shfuqizues të vetëndëshkimit. Ndëshkimi i vetes nuk i shërben askujt. Për t’u shërbyer të tjerëve dhe për ta bërë më të mirë jetën tënde, duhet ta falësh veten.”
Nëse dëshironi të mësoni më shumë rreth faljes dhe rolit të Jezu Krishtit, ne ju ftojmë të takoheni me përfaqësues të Kishës.