A Kanë Nevojë Foshnjat që të Pagëzohen?
Jezusi dha mësim se pagëzimi është thelbësor për të hyrë në mbretërinë e qiejve. Ndonëse shumë kisha të krishtera bien vërtet dakord që pagëzimi është i rëndësishëm dhe i nevojshëm, ajo që ato japin mësim rreth pagëzimit, ndryshon së tepërmi. Atëherë, si duhet të kryhet pagëzimi? Dhe sa vjeç duhet të jeni kur të pagëzoheni?
Çfarë dha mësim Jezusi rreth pagëzimit?
Pagëzimi është një urdhërim
Shpëtimtari dha qartësisht mësim se pagëzimi është një urdhërim dhe se ai është i nevojshëm për të “hy[r]ë në mbretërinë e Perëndisë” (Gjoni 3:5). Pagëzimi kryhet “për faljen e mëkateve” për ata që janë penduar (shihni te Marku 1:4). Por ndonëse Jezusi jetoi një jetë të pamëkatë e të përsosur, Ai gjithashtu u pagëzua që të “përmbush[te] çdo drejtësi” (Mateu 3:15). Duke u pagëzuar, Jezusi u tregoi të gjithë fëmijëve të Perëndisë se “ai do të [ishte] i bindur ndaj [Atit], në zbatimin e urdhërimeve të tij” (2 Nefi 31:7). Të gjithë ata që zgjedhin ta ndjekin Jezusin, duhet në mënyrë të ngjashme t’i binden urdhërimit të Perëndisë për t’u pagëzuar.
Pagëzimi duhet të kryhet nga dikush që mban autoritetin e duhur
Si profet i Perëndisë, Gjon Pagëzori qe shuguruar në priftëri dhe kishte autoritet për ta kryer pagëzimin e Jezusit. Njerëzit vinin nga “gjithë … krahina e Jordanit” që të pagëzoheshin prej tij (shihni te Mateu 3:5–6). Meqenëse Gjon Pagëzori kishte autoritetin e duhur për ta bërë këtë, Jezusi shkoi posaçërisht tek ai për t’u pagëzuar. Po ashtu, pagëzimet sot duhet të kryhen nga një person që mban autoritetin e duhur nga Perëndia.
Pagëzimi kërkon pendim
Gjon Pagëzori i thirri njerëzit që së pari të “jepni[n] pra fryte të denja të pendesës” në mënyrë që të mund të ishin të denjë për t’u pagëzuar (Mateu 3:8). Jezusi Vetë shpesh foli rreth nevojës për pendim, përfshirë pas Ringjalljes së Tij kur u dha mësim njerëzve në kontinentin e lashë amerikan. “Dhe përsëri unë ju them juve se duhet të pendoheni dhe të pagëzoheni në emrin tim … ose përndryshe në asnjë mënyrë ju nuk mund të trashëgoni mbretërinë e Perëndisë” (3 Nefi 11:38).
Pagëzimi duhet të kryhet me anë të zhytjes
Sot, disa fe e kryejnë pagëzimin duke spërkatur një sasi të vogël uji. Mirëpo, ne mësojmë prej shembullit të Jezusit që pagëzimi duhet të kryhet me anë të zhytjes. Kur Jezusi u pagëzua, Mateu shënon se Ai “doli nga uji” (Mateu 3:16). Kjo zhytje e plotë në ujë simbolizon rilindjen ndërsa një individ varroset në ujë dhe del lart, i pastër dhe i përkushtuar ndaj ndjekjes së Jezu Krishtit dhe ungjillit të Tij. Në fakt, vetë fjala pagëzim e ka prejardhjen nga fjala greke baptizo që do të thotë “të kridhesh ose të zhytesh”.
Çfarë dha mësim Jezusi rreth fëmijëve të vegjël?
Jezusi i do fëmijët e vegjël
Në disa raste, Jezusi i thirri fëmijët e vegjël të vinin tek Ai që t’i bekonte. Në një rast, Krishti madje i qortoi dishepujt e Tij që nuk i lejonin fëmijët të vinin tek Ai duke thënë: “I lini fëmijët e vegjël të vijnë tek unë dhe mos i pengoni” (Marku 10:14).
Fëmijët e vegjël janë të pastër dhe të shenjtë
Jezusi dha mësim se fëmijët janë të pastër e të pafajshëm dhe se të rriturit në moshë madhore duhet të përpiqen të jenë më shumë si ata, “sepse atyre u përket mbretëria e qiejve” (Mateu 19:14). Jezusi gjithashtu tha: “Në të vërtetë po ju them: në qoftë se nuk ktheheni dhe nuk bëheni si fëmijët e vegjël, ju nuk do të hyni fare në mbretërinë e qiejve” (Mateu 18:3).
Çfarë na mësojnë shkrimet e shenjta rreth pagëzimit të foshnjave dhe fëmijëve të vegjël?
Fëmijët e vegjël janë të pamëkatë përpara Perëndisë
Në Dhiatën e Re, Jezusi dha mësim qartësisht se fëmijët e vegjël janë në mënyrë të qenësishme të mirë dhe të pastër. Libri i Mormonit më tej shpall: “Fëmijët e vegjël janë të shëndetshëm, meqë nuk mund të bëjnë mëkat” (Moroni 8:8).
Jezusi gjithashtu tha: “Nuk janë të shëndosh[ë]t që kanë nevojë për mjekun, por të sëmurët; unë nuk erdha për të thirrur të drejtët, por mëkatarët për pendim” (Marku 2:17). Ndaj, nëse fëmijët e vegjël nuk mund të bëjnë mëkat, a kanë ata ndonjë farë nevoje për pagëzim?
Pagëzimi është për mëkatarët
Pagëzimi është për ata që mëkatojnë dhe kanë nevojë të pendohen. Në Librin e Mormonit, ne mësojmë se doktrina e Krishtit është “pendim dhe pagëzim për ata që janë të përgjegjshëm dhe që mund të bëjnë mëkat” (Moroni 8:10). Pra, meqenëse fëmijët e vegjël nuk janë të përgjegjshëm ose të aftë për veprime mëkatare, ata nuk kanë nevojë për pagëzim.
Në kohën tonë, Zoti ka zbuluar që “fëmijët … do të pagëzohen për heqjen e mëkateve të tyre, kur të bëhen tetë vjeç” (Doktrina e Besëlidhje 68:27). Në atë moshë, ata fillojnë të jenë të përgjegjshëm për të zgjedhur të drejtën nga e gabuara.
Premtimet e pagëzimit
“Mbani barr[ë]t e njëri‑tjetrit, që ato të mund të jenë të lehta” (Mosia 18:8).
“Vajtoni me ata që vajtojnë; po, dhe … ngushëlloni ata që kanë nevojë të ngushëllohen” (Mosia 18:9).
“Ai … mund të derdhë mbi ju Shpirtin e tij më me shumicë” (Mosia 18:10).
“Qëndroni si dëshmitarë të Perëndisë në të gjitha kohërat dhe në të gjitha gjërat dhe në të gjitha vendet që ju të gjendeni” (Mosia 18:9).
“Ju do t’i shërbeni atij dhe do të zbatoni urdhërimet e tij” (Mosia 18:10).
“Ju … mund të shëlbeheni nga Perëndia dhe të numëroheni me ata të ringjalljes së parë, që ju të mund të keni jetën e përjetshme” (Mosia 18:9).
Rënia e Adamit nuk i bën fëmijët e vegjël fajtorë për mëkat që në lindje
Shumë fe të krishtera besojnë që çdo fëmijë është prej natyre mëkatar që në lindje për shkak të rënies së Adamit. Mirëpo, Perëndia i mban individët përgjegjës vetëm për mëkatet vetjake dhe jo për shkeljen e Adamit (shihni te Nenet e Besimit 1:2). Për shkak se fëmijët e vegjël janë të pamëkatë përpara Perëndisë, ata nuk kanë arsye për t’u penduar apo pagëzuar.
Fëmijët e vegjël shpëtohen nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit
Shkrimet e shenjta na mësojnë se “fëmijët e vegjël janë gjallë në Krisht, madje që nga krijimi i botës” (Moroni 8:12). Perëndia është i mëshirshëm, i dashur dhe dashamirës. Ai do që të gjithë fëmijët e Tij të kthehen për të jetuar me Të. Ai nuk do të ishte Perëndia i dashur dhe i drejtë që Ai është, nëse do t’ua mohonte shpëtimin fëmijëve ngaqë nuk janë pagëzuar.