A e Kupton Vërtet Jezusi se si Ndihem Unë?

Në kohë trishtimi ose pasigurie, ndonjëherë na duket sikur askush nuk mundet kurrsesi ta kuptojë se çfarë po kalojmë. Por ne nuk jemi kurrë tërësisht vetëm. Jezusi e kupton plotësisht se si ndihemi sepse Ai e ka ndier atë gjithashtu.

Një grua mbështetet në parmak përmbi bregun e detit duke menduar për ungjillin e Jezu Krishtit

Pse Jezusi na kupton ne

Në kohë të vështira, mund të jetë e zorshme të parafytyrojmë se ndokush i kupton mundimet tona. Ne mund të ndihemi të pashpresë, të izoluar dhe madje të harruar nga Perëndia. Por është Dikush që me të vërtetë kupton. Jezusi e njeh dhembjen tuaj dhe e di se si t’ju ndihmojë ta kapërceni atë. Ai jetoi, vuajti dhe vdiq për secilin prej nesh, në mënyrë që nuk do të duhej kurrë të ishim vetëm.

Jezusi erdhi në tokë në mënyrë që ta dinte se si të na ngrinte moralisht gjatë sprovave tona. Ai i ka ndier tundimet, dhimbjet, trishtimin dhe pikëllimet tona. Shkrimet e shenjta vijuese na mësojnë se Jezusi e kupton me të vërtetë se si ndihemi.

“Sepse ne nuk kemi kryeprift që nuk mund t’i vijë keq për dobësitë tona, po një që u tundua në të gjitha ashtu si ne, por pa mëkatuar.” – Hebrenjve 4:15

“Dhe ai do të shkojë përpara, duke vuajtur dhimbje dhe hidhërime dhe tundime të çdo lloji; dhe kjo, që të plotësohet fjala që thotë se ai do të marrë përsipër dhembjet dhe sëmundjet e popullit të tij.

Dhe ai do të marrë përsipër vdekjen që ai të mund të zgjidhë rripat e vdekjes, që e lidhin popullin e tij; dhe ai do të marrë përsipër dobësitë e tyre, që zemra e tij të mund të mbushet me mëshirë, sipas mishit, që ai të mund të dijë, sipas mishit, sesi të ndihmojë popullin e tij sipas dobësive të tyre.

Tani, Shpirti i di të gjitha gjërat; megjithatë, Biri i Perëndisë vuan sipas mishit, që ai të mund të marrë përsipër mëkatet e popullit të tij, që të fshijë shkeljet e tyre, sipas fuqisë çliruese të tij; dhe tani vini re, kjo është dëshmia që është në mua.” – Alma 7:11–13

Jezusi ngushëllon Marien dhe Martën rrugës së Tij për të ngritur Llazarin së vdekuri

Si mund të afrohem më shumë me Jezusin?

Nëse duam ta ndiejmë paqen që vjen nga njohuria se Shpëtimtari e kupton se si ndihemi, nevojitet të afrohemi më shumë me Të. Ne e bëjmë këtë duke pasur besim tek Ai, duke u penduar për mëkatet tona dhe duke mirëbesuar në urtësinë e Tij. Ne mund të studiojmë fjalën e Tij, të zbatojmë urdhërimet e Tij dhe të ndjekim shembullin e Tij. Ne mund t’i drejtohemi Perëndisë në lutje për shërim kur nuk mund të vijojmë të vetëm.

Jezusi e kupton atë që po kalojmë. Ai dëshiron që ne të jemi të lumtur. Ai dëshiron të na ndihmojë përgjatë sprovave tona vetjake. Kur zgjedhim ta ndjekim Atë, ne mund ta dimë se pavarësisht asaj me të cilën ndeshemi, ne nuk jemi kurrë vetëm.

Eksploroni Tema të Tjera