3 Mënyra se si Mund të Ndërtoni një Marrëdhënie me Perëndinë

Perëndia është Ati ynë i dashur dhe ne mund të kemi një marrëdhënie të fortë dhe domethënëse me Të.

Një grua ecën nëpër një pyll me borë

Ndërsa arrijmë ta njohim Perëndinë, ne do të gjejmë më shumë paqe, lumturi e kuptim në jetën tonë, edhe në një botë kaosi. Ju mund ta ndërtoni dhe ta forconi marrëdhënien tuaj me Perëndinë duke u përqendruar te këto tri gjëra.

“Dhe kjo është jeta e përjetshme, të të njohin ty, të vetmin Perëndi të vërtetë, dhe Jezu Krishtin që ti ke dërguar.” – Gjoni 17:3

1

Studiojini fjalët e Perëndisë

Jezusi tha: “Mësoni nga unë … dhe ju do të gjeni prehje për shpirtrat tuaj” (Mateu 11:29). Perëndia është Ati ynë i dashur dhe Ai dëshiron një marrëdhënie me fëmijët e Tij. Ne mund të mësojmë për Perëndinë duke lexuar rreth Tij dhe mënyrës se si Ai i ka ndihmuar fëmijët e Tij gjatë historisë. Bibla dhe Libri i Mormonit janë që të dyja fjala e Perëndisë. Secila tregon histori mbi atë se si Perëndia e ka ndihmuar, bekuar dhe, me raste, përulur popullin e Tij. Merrini në konsideratë tregimet për mrekullitë dhe faljen nga Jezusi në Dhiatën e Re. Lexojeni historinë e Alma të Riut në Librin e Mormonit dhe se si Perëndia iu përgjigj lutjes së babait të tij (shihni te Mosia 26–28). Bibla dhe Libri i Mormonit kanë ndihmuar miliona njerëz që ta gjejnë Perëndinë dhe ta ndiejnë dashurinë e Tij.

2

Bisedoni me Perëndinë

Perëndia i do fëmijët e Tij dhe Ai dëshiron të dëgjojë prej tyre. Ashtu sikurse do të punonim për të zhvilluar një marrëdhënie me një shok apo shoqe të re duke biseduar me të, ne mund të ndërtojmë një marrëdhënie me Perëndinë nëpërmjet lutjes. Si fëmija i Tij, ju mund t’i kërkoni ndihmë dhe udhërrëfim kur luteni. Mund t’i tregoni Atij për sfidat tuaja dhe rreth ditëve tuaja kur ia kaloni qoftë mirë e qoftë keq. Dhe mund të luteni me mirënjohje për ta falënderuar Atë për të gjitha gjërat që gëzoni në jetë – qofshin të mëdha ose të vogla.

Pavarësisht se kush jeni, Perëndia mezi pret që t’ju bekojë dhe t’ju ndihmojë të gjeni lumturi. Jezusi premtoi: “Gjithçka të kërkoni në lutje, duke pa[s]ur besim, do të merrni” (Mateu 21:22). Në fillim mund t’ju duket e çuditshme që të luteni dhe mund të mos jeni të sigurt se si t’i dalloni përgjigjet e Perëndisë. Por ndërsa ushtroheni vazhdimisht dhe përpiqeni të luteni me besim, lutja mund të bëhet një mënyrë e sigurt komunikimi me Perëndinë. Kjo do të kërkojë përpjekje, por ia vlen.

3

Ndiqeni Jezu Krishtin

Jezusi tha: “Unë jam udha, e vërteta dhe jeta; askush nuk vjen tek Ati përveçse nëpërmjet meje” (Gjoni 14:6). Të mësuarit rreth Jezusit dhe mësimeve të Tij është një pjesë e rëndësishme për ndërtimin e një marrëdhënieje me Perëndinë. Jezusi na dha shembullin e përkryer për ta ndjekur. Ai na mësoi se si të jetojmë dhe si t’i trajtojmë të tjerët. Ai vuajti dhe vdiq për mangësitë dhe mundimet tona në mënyrë që ne të mund të gjejmë lumturi në këtë jetë nëpërmjet Tij. Ai është dhurata më e madhe e Perëndisë për ne. Ne mund të lexojmë rreth jetës dhe mësimeve të Jezusit në Bibël dhe në Librin e Mormonit. Kur përpiqemi të jetojmë sipas asaj që dha mësim Jezusi, ne i tregojmë Perëndisë se duam të jemi më të afërt me Të.

Hapat e Jezusit

Mësoni më Shumë rreth Perëndisë dhe Dashurisë së Tij për Ju