Zhargoni i Zakonshëm për Kishën

Këtu keni një udhëzues të shpejtë për disa terma dhe akronime të panjohura që t’ju ndihmojnë të mësoni për Kishën dhe komunitetin tonë.

Një familje e re në moshë hyn në një kishë për të mësuar rreth ungjillit të Jezu Krishtit

Ju mund të keni dëgjuar disa fjalë ose akronime që nuk i kuptoni. Kjo ndodh se me kalimin e viteve, shumë nga termat tona të zakonshme na janë bërë të natyrshme, por shumë prej tyre ndoshta janë të panjohura për ju. Ne i kemi përmbledhur disa nga këto terma dhe përkufizimet e tyre më poshtë për t’ju ndihmuar të ndiheni më rehat.

Mormon

Emri “Kisha Mormone” është një nofkë që të tjerët ia vunë anëtarëve të Kishës për shkak se ne besojmë në Librin e Mormonit. Emri zyrtar i Kishës është Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Ne e përdorim emrin e plotë të Kishës sa herë që është e mundur, si kujtues se Krishti është qendra e saj.

SHDM

Ju mund ta keni hamendësuar këtë. SHDM është një shkurtim për “Shenjtor i Ditëve të Mëvonshme”, që i referohet më së shpeshti një anëtari/eje të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. “Kisha SHDM” është një tjetër nofkë; megjithatë, ne u kemi kërkuar njerëzve që ta quajnë Kishën me emrin e saj të plotë: Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Në këtë mënyrë, çdokush e di se Jezusi është thelbi i fesë dhe bindjeve tona fetare. “Shenjtorë të ditëve të mëvonshme” është një mënyrë e mirë për t’iu referuar miqve tuaj që janë anëtarë të Kishës.

Lagjja

Lagjja është një bashkësi vendore. Është një grup me anëtarë të Kishës që jetojnë brenda një zone të caktuar gjeografike. Një lagje përgjithësisht përbëhet nga disa qindra anëtarë dhe kryesohet nga një udhëheqës vullnetar i Kishës, i quajtur peshkop. Juve gjithashtu mund t’ju bjerë në vesh termi degë. Degët janë bashkësi shumë më të vogla në zona me më pak anëtarë të Kishës.

Kunji

Kunji është gjithashtu një njësi gjeografike e Kishës, që përbëhet nga disa lagje dhe degë, në ngjashmëri me një dioqezë katolike. Ata bëjnë mbledhje ose konferenca në ndërtesën e “kunjit” ose në një shtëpi më të madhe mbledhjesh. Kunjet kryesohen nga një grup udhëheqësish vullnetarë të quajtur presidenca e kunjit.

E Diela e Agjërimit

Kjo nuk është një e diel që kalon më shpejt sesa të tjerat. Të dielën e parë të çdo muaji, anëtarët e Kishës agjërojnë, ose rrinë vullnetarisht pa ngrënë e pa pirë për dy vakte, me qëllim që të bëhen më të afërt me Perëndinë. Kisha i nxit anëtarët që të marrin paratë që do të shpenzonin për ushqimin, dhe t’i dhurojnë si një ofertë për të ndihmuar të varfrit.

Vëlla, Motër dhe Plak [Elder]

Ju mund të na dëgjoni të përdorim fjalë si vëlla ose motër për t’iu drejtuar njëri‑tjetrit, si “Vëllai Xhons” ose “Motra Kan”. Kjo traditë rrjedh nga bindja jonë se ne të gjithë jemi bijë dhe bija të Perëndisë dhe si të tillë, vëllezër dhe motra për njëri‑tjetrin.

Juve gjithashtu do t’ju bjerë në vesh që misionarëve iu referohen si Plaku [ose Elder] dhe Motra ndërkohë që shërbejnë si misionarë kohëplotë. Kjo është një mënyrë e thjeshtë për të treguar se si këta burra e gra të reja në moshë po bëjnë diçka ndryshe dhe të shenjtë me jetën e tyre ndërkohë që shërbejnë. Plaku ose Motra mund të jetë gjithashtu një titull për burrat dhe gratë që shërbejnë në pozicione të përgjithshme udhëheqjeje në Kishë.

Fillorja

Ky është emri i grupit të Kishës sonë për fëmijët e moshave 3–11 vjeç. Fëmijët e Fillores këndojnë si grup herë pas here gjatë mbledhjes së sakramentit dhe marrin pjesë në veprimtari të tjera në grup të dielave dhe ditëve të javës.

Rrezet e Diellit

Nëse dikush e thërret një tre vjeçar/e rreze dielli, nuk është medoemos për shkak se ai ose ajo është një rreze e vogël drite (edhe pse disa mund të arsyetojnë se janë). Është për shkak se kështu quhet klasa e fëmijëve për këta fëmijë të vegjël. Është grupmosha më e vogël në Fillore. Termi vjen nga kënga “Jezus’ më Do Rreze Dielli” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 38).

ZTD

ZTD përfaqëson akronimin për “zgjidh të drejtën”. Është një moto që e mësojnë fëmijët e Fillores dhe ata marrin një unazë ZTD si një kujtues për të bërë atë që është e drejtë. Është gjithashtu emri i shumë prej klasave që frekuentojnë fëmijët e moshës së Fillores (për shembull, ZTD 4 dhe ZTD 8 janë përkatësisht emrat e klasave për fëmijët e moshës katër dhe tetë vjeç). Adoleshentët dhe të rriturit nganjëherë vazhdojnë të mbajnë unaza dhe varëse ZTD me këto tri germa.

Mbledhje rreth Vatrës

Mos sillni mafishe që shkrihen në zjarr ose të pretendoni të ketë një vatër me zjarr të vërtetë në një mbledhje rreth vatrës në Kishë. Mbledhja rreth vatrës është emri për një mbledhje të veçantë, mbrëmjen e së dielës që zakonisht përfshin një folës të ftuar dhe disa ushqime të lehta. Mbledhjet rreth vatrës bëhen ndoshta një ose dy herë në vit dhe shpesh zhvillohen për anëtarët e programit të të rinjve ose ata 12 vjeç e lart.

Mbrëmja e Shtëpisë

Mbrëmja e shtëpisë është një natë një herë në javë ku familjet ose një grup individësh nxiten që të mblidhen për të kaluar kohë së bashku, për të studiuar temat e ungjillit dhe për të marrë pjesë në veprimtari argëtuese.

Ka Vend për Këdo Këtu