Përse Anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme Nuk Pinë Kafe?
Shenjtorët e ditëve të mëvonshme janë këshilluar nga udhëheqësit e tyre dhe nga Perëndia që të mos pinë kafe. Kjo këshillë e frymëzuar është pjesë e një kodi shëndeti të cilin anëtarët e zbatojnë me qëllim që të jetojnë një jetë më të shëndetshme e më të lumtur.
Në fillimet e viteve 1800, Perëndia zbuloi një ligj të shëndetit fizik dhe shpirtëror, të cilit i referohemi si Fjala e Urtësisë. Në këtë ligj, Perëndia jep hollësi mbi ushqimet që janë të mira për ne për t’i ngrënë, si dhe substancat të cilat duhet t’i shmangim për shkak të dëmit që u shkaktojnë trupave tanë.
Një Udhërrëfyes i Frymëzuar për Shëndet të Mirë: Gjërat që Duhen Bërë dhe Nuk Duhen Bërë
“Çdo bimë në stinën e saj dhe çdo frut[ë] në stinën e tij; të gjitha për t’u përdorur me maturi dhe falënderim” (Doktrina e Besëlidhje 89:11).
“Dhe përsëri, pijet e forta nuk janë për barkun, por për larjen e trupave tuaj” (Doktrina e Besëlidhje 89:7).
“Po, gjithashtu mishin e kafshëve dhe të shpendëve të ajrit, unë, Zoti, e kam shuguruar për përdorimin e njeriut me falënderim; megjithatë ato duhet të përdoren me pakicë” (Doktrina e Besëlidhje 89:12).
“Dhe përsëri, duhani nuk është për trupin, as për barkun, dhe nuk është i mirë për njeriun” (Doktrina e Besëlidhje 89:8).
“Për t’u kujdesur për trupin tuaj, përdorni ushqime me vlera ushqyese, bëni rregullisht ushtrime fizike dhe flini mjaftueshëm” (Për Forcën e Rinisë [broshurë, 2011], f. 25).
“Dhe përsëri, pijet e nxehta nuk janë për trupin apo barkun” (Doktrina e Besëlidhje 89:9).
“Gjithë drithi shugurohet për përdorimin e njeriut dhe të kafshëve, për t’u bërë burim jete” (Doktrina e Besëlidhje 89:14).
“Çdo gjë e dëmshme që njerëzit fusin me qëllim në trupat e tyre, nuk është në harmoni me Fjalën e Urtësisë. Kjo është veçanërisht e vërtetë për drogat e paligjshme” (Të Vërtetë ndaj Besimit: Një Referim për Ungjillin [2005], f. 55).
Një kod i frymëzuar i shëndetit
Te Fjala e Urtësisë, Perëndia thotë se frutat, perimet dhe drithërat kanë vlera ushqyese dhe janë të dobishme për trupat tanë. Ai na nxit ta hamë mishin me pakicë. Perëndia gjithashtu na paralajmëron të shmangim substanca të caktuara, përfshirë kafenë, çajin, pijet alkoolike dhe duhanin. Në kohën tonë, profetët e gjallë na kanë paralajmëruar gjithashtu që t’i shmangim drogat e paligjshme dhe abuzimin me ilaçet e dhëna me recetë. Perëndia u premton bekime të mëdha fizike dhe shpirtërore atyre që e zbatojnë këtë kod të frymëzuar të shëndetit.
Ndonëse Fjala e Urtësisë nuk e përvijon arsyetimin shpjegues në themel të të gjitha këshillave të saj, shkenca moderne i ka përkrahur dhe ripohuar shumë prej dobive fizike që sjell ajo. Një studim 14‑vjeçar, i realizuar nga UCLA‑ja [Universiteti i Kalifornisë në Los Anxhelos], ndoqi shkallën e vdekshmërisë dhe praktikat shëndetësore të 10 000 anëtarëve të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme që jetonin në Kaliforni. Rezultatet e studimit qenë që anëtarët e Kishës që e zbatonin Fjalën e Urtësisë, kishin një pritshmëri jetëgjatësie më të madhe prej 8 deri 11 vjet më të gjatë se popullsia e përgjithshme e SHBA‑së. Ata gjithashtu kishin shkallë më të ulët të vdekshmërisë nga sëmundje kardiovaskulare dhe kanceri.
Trupat tanë fizikë janë krijuar sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë. Ata janë një nga bekimet më të mëdha që Perëndia na ka dhënë. Duke ndjekur këshillat e Perëndisë, duke bërë sa duhet ushtrime fizike dhe duke ngrënë mirë, ne mund të kujdesemi më mirë për trupat tanë dhe të jetojmë një jetë të lumtur e të shëndetshme.
Pyetje të Zakonshme
Më poshtë janë pyetjet që bëhen shpesh rreth anëtarëve të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Klikoni këtu për të parë listën e plotë.