Si Mund ta Ndihmojë Bibla Familjen Time që të Forcohet

Familja është në qendër të planit të Perëndisë për lumturinë dhe përparimin e fëmijëve të Tij. Bibla e Shenjtë na mëson se Perëndia i krijoi familjet që nga fillimi dhe na tregon shumë shembuj të familjeve të forta. Gjithashtu na mëson se si të kemi një familje të dashur, të lumtur.

Familjet në Bibël

Familja e parë: Adami dhe Eva

Pikërisht njerëzit e parë në tokë formuan një familje. Që nga fillimi, Perëndia i bekoi dhe i nxiti familjet, duke i urdhëruar Adamin dhe Evën: “Të jeni të frytshëm dhe shumëzohuni, mbushni tokën” (Zanafilla 1:28). Shembulli i Adamit dhe Evës na tregon se familjet janë nga Perëndia.

Familje të tjera në Bibël

Disa shembuj të mirënjohur të familjeve në Bibël gjenden herët në Dhiatën e Vjetër. Abrahami, Isaku dhe Jakobi, të gjithë, e ndoqën urdhrin e Perëndisë që të martoheshin dhe të kishin fëmijë. Abrahami bëri shumë përpjekje që ta mbronte bashkëshorten e tij, Sarën (shih Zanafilla 12) dhe ushtroi besim që më së fundi të gëzonte bekimet që erdhën me lindjen e birit të tij, Isakut (shih Zanafilla 21). Nën drejtimin e Zotit, shërbëtori i Abrahamit përshkoi një largësi të madhe që të gjente Rebekën, një grua të drejtë, që të ishte bashkëshortja e Isakut (shih Zanafilla 24). Dhe biri i Isakut, Jakobi, punoi për shumë vjet me qëllim që të martohej dhe të krijonte familjen e vet, e cila u bë shtëpia e Izraelit (shih Zanafilla 29–30).

Sjellja e familjes suaj në kishë
Gjejeni një Kishë Pranë Jush

Këshilla e Jezu Krishtit për familjen

Jezu Krishti dha mësim për martesën

Jezu Krishti dha mësim se martesa është e shenjtë dhe thelbësore për planin e Perëndisë: “Por në fillim të krijimit, Perëndia i bëri mashkull e femër. Për këtë arsye njeriu do ta braktisë babanë e tij dhe nënën e tij dhe do të bashkohet me gruan e tij; dhe të dy do të jenë një mish i vetëm; kështu nuk janë më dy, por një mish i vetëm. Prandaj njeriu të mos ndajë atë që Perëndia e ka bashkuar!” (Marku 10:6–9).

Jezu Krishti dha mësim me anë të shembullit

Jezusi u kujdes për familjen e Tij. Gjatë gjithë Dhiatës së Re ne mësojmë se si Jezu Krishti tregoi dashuri për pjesëtarët e familjes së Tij, veçanërisht për nënën e Tij, Marinë. Edhe ndërkohë që ishte në agoni në kryq, Jezu Krishti tregoi shqetësim lidhur me përkujdesjen për nënën e Tij: “Atëherë Jezusi, kur pa nënën e tij dhe pranë saj dishepullin që donte, i tha nënës së tij: ‘O grua, ja biri yt!’. Pastaj i tha dishepullit: ‘Ja nëna jote!’. Dhe që në atë moment ai e mori në shtëpinë e vet” (Gjoni 19:26–27).

Mësime të tjera të Biblës për rëndësinë e familjes

Dhjetë Urdhërimet

Njëri nga Dhjetë Urdhërimet e dhëna Moisiut në Dhiatën e Vjetër flet drejtpërsëdrejti për marrëdhënien midis prindërve dhe fëmijëve: “Do të nderosh atin tënd dhe nënën tënde, me qëllim që ditët e tua të jenë të gjata mbi tokën që Zoti, Perëndia yt, po të jep” (Eksodi 20:12).

Libri i Fjalëve të Urta

Libri i Fjalëve të Urta gjithashtu përmban mësime të ndryshme që lidhen veçanërisht me familjen: “Një bir i urtë dëgjon mësimet e atit të vet, por tallësi nuk e dëgjon qortimin. … Njeriu i mirë i lë një trashëgim bijve të bijve të tij, por pasuria e mëkatarit vihet mënjanë për të drejtin” (Fjalët e Urta 13:1, 22). “Budallai e përçmon korrigjimin e atit të tij, por ai që e çmon kritikën vepron me zgjuarsi. […] Biri i urtë gëzon të atin, por njeriu budalla përçmon të ëmën” (Fjalët e Urta 15:5, 20).

Mësimet e Palit

Apostulli Pal foli shpesh rreth marrëdhënieve familjare. Ai këshilloi: “Fëmijë, binduni prindërve tuaj në Zotin, sepse kjo është e drejtë. ‘Ndero babanë tënd dhe nënën tënde’, ky është urdhërimi i parë me premtim, ‘që ti të jesh mirë dhe të jetosh gjatë mbi dhe’. Dhe ju, etër, mos provokoni për zemërim fëmijët tuaj, por i edukoni në disiplinë dhe në këshillë të Zotit” (Efesianëve 6:1–4).

Si të gjeni gëzim si familje

Mësojini fëmijët tuaj që ta ndjekin Jezu Krishtin

Perëndia premton bekime për fëmijët tuaj kur ata i dinë të vërtetat e ungjillit dhe iu binden atyre: “Në rast se bijtë e tu do të respektojnë besëlidhjen time dhe porositë e mia, që unë do t’u mësoj atyre, edhe bijtë e tyre do të ulen përjetë mbi fronin tënd” (Psalmeve 132:12).

Studiojini rregullisht shkrimet e shenjta si familje

Lexojeni Biblën së bashku si familje që të gjeni njohuri më të madhe mbi familjen dhe jetën. Bibla na mëson: “Dhe këto fjalë që sot po të urdhëroj do të mbeten në zemrën tënde; do t’ua ngulitësh bijve të tu, do të flasësh për to kur rri ulur në shtëpinë tënde, kur ecën rrugës, kur ke rënë në shtrat dhe kur çohesh” (Ligji i Përtërirë 6:6–7).

Shërbejuni pjesëtarëve të familjes suaj

Jezu Krishti dha mësim se kur u shërbejmë të tjerëve, është njësoj si t’i shërbejmë Atij: “Sa herë ia keni bërë këtë ndonjërit prej këtyre vëllezërve të mi më të vegjël, këtë ma bëtë mua” (Mateu 25:40). Shërbimi ndaj pjesëtarëve të familjes suaj mund t’ju ndihmojë të bëheni më shumë si Jezu Krishti dhe ta shtoni dashurinë në shtëpinë tuaj.